Ligjore · Versioni 1.0 · 1 nëntor 2026
Kushtet e shfrytëzimit të sistemit softuerik "Portofol"
Marrëveshje licence mes Ofruesit, Dev2Devs SH.P.K. (NUI 812426379, Prishtinë, [email protected]), që ofron sistemin softuerik Portofol, dhe Klientit që e shfrytëzon atë. Portofol ofrohet si shërbim në re (cloud): nuk instalohet te Klienti, por hapet nga shfletuesi ose si aplikacion në telefon, tabletë dhe kompjuter.
Palët dhe objekti
1. Ofruesi i jep Klientit licencën për shfrytëzimin e sistemit softuerik "Portofol" me produktet e zgjedhura në ofertë: PortoKont (kontabiliteti), PortoSEF (fiskalizimi), PortoPos (arka për dyqane), PortoRest (lokale), PortoAgjent (shitja në terren) dhe PortoRent (rent-a-car). Çdo produkt licencohet veçmas, për një biznes (NUI) dhe për numrin e arkave ose pajisjeve të cekura në ofertë.
2. Klienti blen të drejtën e shfrytëzimit, jo softuerin. Licenca aktivizohet me një kod që Ofruesi ia dërgon Klientit dhe vlen për periudhën e cekur në ofertë (zakonisht 12 muaj). Librat e kontabilitetit për dy bizneset e para të një zyre ofrohen pa pagesë, sipas faqes së çmimeve.
1. Pagesa
Klienti paguan në avans licencën vjetore (ose mujore kur është cekur në ofertë). Pas periudhës së parë, Klienti paguan në avans vazhdimin vjetor, i cili përfshin mirëmbajtjen, përditësimet dhe mbështetjen, në mënyrë që sistemi të vazhdojë të funksionojë. Pagesa kryhet në euro, përmes bankës. Ofruesi lëshon faturë sipas Nenit 44, 45, 46 dhe 49 të Ligjit nr. 05/L-037 për TVSH-në. Mosvazhdimi i licencës nuk e fshin të dhënat e Klientit: ato mbeten të qasshme për lexim dhe eksport edhe 90 ditë pas skadimit.
2. Obligimet
Ofruesi mban sistemin në re, kopjet rezervë ditore, serverët, sigurinë e qasjes dhe përputhjen me ligjet e Republikës së Kosovës (Ligji 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, Ligji 05/L-037 për TVSH-në, Udhëzimi Administrativ MF 01/2026 për fiskalizimin, Ligji 06/L-032 për Kontabilitet). Ofruesi e udhëzon Klientin se cilat pajisje i duhen (kompjuter, tabletë ose telefon me shfletues të përditësuar, printer termik 80 mm për kuponët, lidhje interneti).
Klienti siguron pajisjet, lidhjen e internetit dhe sigurinë e tyre (fjalëkalime, antivirus, qasje fizike). Klienti është përgjegjës për saktësinë e të dhënave që fut dhe për deklaratat që dorëzon në ATK; Portofol llogarit sipas rregullave të koduara dhe të publikuara, por nuk është këshillë tatimore apo ligjore. Klienti mund të eksportojë të dhënat e tij në çdo kohë (Excel, CSV, PDF) dhe këshillohet të mbajë kopje të veten.
Palët ruajnë konfidencialitetin e të dhënave dhe informacioneve të shkëmbyera: të dhënat e biznesit, detajet teknike të softuerit dhe çdo informacion të ndjeshëm. Të dhënat e Klientit ruhen në serverë në Bashkimin Evropian dhe nuk u jepen palëve të treta, përveç ATK-së për kuponët fiskalë dhe deklarimet që Klienti i dorëzon vetë.
3. Mirëmbajtja dhe përditësimet
Ofruesi përditëson sistemin kohë pas kohe; përditësimet hyjnë në fuqi vetvetiu, pa instalim te Klienti. Ndryshimet ligjore (norma, formularë, afate) zbatohen në sistem sa më shpejt që publikohen. Mbështetja teknike ofrohet me email dhe telefon gjatë orarit të punës. Zhvillimet shtesë që dalin jashtë ofertës bien dakord veçmas, me plan implementimi dhe faturë të veçantë; Ofruesi nuk është i detyruar t'i ofrojë.
4. Licenca
Licenca është e patransferueshme: lidhet me biznesin (NUI) për të cilin u lëshua dhe me numrin e arkave të cekura. Klientit i ndalohet t'ia japë qasjen palëve të treta, ta rishesë shërbimin, ta kopjojë, dekompilojë, modifikojë apo ta bashkojë me sisteme të tjera pa pëlqim me shkrim të Ofruesit, si dhe ta prezantojë sistemin për qëllime të veta tregtare pa pëlqim. Kodi burimor mbetet pronë e Ofruesit; me licencën nuk jepet asnjë e drejtë mbi të. Klienti kujdeset që përdoruesit e tij të kenë fjalëkalime të veta dhe që qasja e një punëtori që largohet të hiqet.
5. Mosgarantimi dhe kufizimi i përgjegjësisë
Shërbimi ofrohet "siç është". Ofruesi nuk garanton rezultate sipas pritshmërive të Klientit, as funksionim të pandërprerë kur mungon interneti ose shërbimet e ATK-së. Gabimet ("bug") që ndikojnë në punën e sistemit rregullohen me përparësi; gabimet që rrjedhin nga të dhëna të pasakta të Klientit ose nga pajisjet e tij nuk janë përgjegjësi e Ofruesit. Në masën që e lejon ligji, përgjegjësia e Ofruesit kufizohet në shumën e paguar nga Klienti për 12 muajt e fundit. Ofruesi nuk përgjigjet për gjoba, kamata apo humbje që rrjedhin nga të dhëna të pasakta, nga deklarata të dorëzuara me vonesë apo nga mospagesa e detyrimeve tatimore nga Klienti.
6. Ndërprerja
Ofruesi mund ta pezullojë ose ndërpresë licencën me njoftim elektronik kur: (a) Klienti nuk paguan licencën ose vazhdimin në afat; (b) Klienti shkel pikat e kësaj marrëveshjeje, me ndërprerje të menjëhershme për shkelje materiale të pakorrigjueshme (kopjim, rishitje, qasje e paautorizuar). Ofruesi mund ta ndërpresë marrëveshjen tërësisht ose pjesërisht me paralajmërim me shkrim prej 3 muajsh, duke i kthyer Klientit pjesën e pashfrytëzuar të avansit. Klienti mund ta ndërpresë në fund të periudhës së paguar. Pas ndërprerjes Klienti nuk e shfrytëzon më sistemin; të dhënat i mbeten të qasshme për eksport 90 ditë, pastaj fshihen, përveç regjistrave që ligji kërkon t'i ruajmë.
7. Kushtet e përgjithshme
Mosmarrëveshjet zgjidhen me mirëkuptim; nëse kjo nuk arrihet, kompetente është Gjykata Themelore në Prishtinë. Për çka nuk është cekur këtu zbatohet legjislacioni në fuqi i Republikës së Kosovës. Klienti i pranon këto kushte me aktivizimin e kodit të licencës ose me shfrytëzimin e sistemit. Ndryshimet publikohen këtu me datë të re dhe njoftohen me email 30 ditë përpara kur janë thelbësore.
Kontakt: [email protected]. Shih edhe Kushtet e përdorimit dhe Politikën e privatësisë.